• Lajmet e fundit

    Hyn në fuqi Ligji i ri për Markat Tregtare

    Përderisa kushtet dhe procedurat e regjistrimit dhe mbrojtës së Markës Tregtare janë në fuqi për shumë vite, legjislacioni i ri bën ndryshime të rëndësishme dhe, në veçanti, i përafron më nga afër rregullat e Kosovës me legjislacionin dhe standardet e BE-së për Markën Tregtare. Kështu, disa nga ndryshimet kryesore të mëposhtme janë bërë në Ligjin për Markat Tregtare:

    1. Në përgjithësi legjislacioni është përafruar më tej me Direktivat dhe Rregulloret e BE-së.

    2. Shkaqet absolute të refuzimit apo pavlefshmërisë janë përcaktuar më në detaje, kështu duke zgjeruar rrethanat kur mund të refuzohet regjistrimi i një marke tregtare e cila nuk përmbush kushtet e përshkruara në këtë Ligj.

    3. Shkaqet relative për refuzim apo pavlefshmëri gjithashtu janë specifikuar në detaje duke bërë përshkrim të qartë të rrethanave kur mund të refuzohet regjistrimi i një marke tregtare e cila nuk përmbush kushtet e përshkruara në këtë Ligj.

    4. Pronari i markës tregtare të regjistruar ka të drejtë t’ia ndaloj të gjitha palëve të treta futjen e mallrave në Republikën e Kosovës, pa qenë të lëshuara për qarkullim të lirë tregtar, kur mallrat e tilla, përfshirë paketimet e tyre, vijnë nga vendet të cilat nuk është shteruar e drejta e markës tregtare dhe përdorin pa autorizim markën tregtare që është identike me markën tregtare të regjistruar në lidhje me mallrat.

    5. Është rregulluar e drejta për të ndaluar veprimet përgatitore në lidhje me përdorimin e paketimeve dhe mjeteve tjera.

    6. E drejta e përparësisë i njihet aplikuesit për regjistrimin e markës tregtare, që ka paraqitur kërkesë për regjistrim të markës tregtare në formë të rregullt në Republikën e Kosovës, nga ndonjë shtet që është palë në Konventën e Parisit apo Marrëveshjen për themelimin e Organizatës Botërore të Tregtisë, për të njëjtën markë tregtare me mallrat apo shërbime që janë identike apo që i përmbajnë ato për të cilat është paraqitur aplikimi, ai mundet të thirret në të drejtën e përparësisë së paraqitjes së aplikimit të parë, me kusht që ai të aplikoj për regjistrim të markës tregtare në Republikën e Kosovës brenda gjashtë (6) muajsh nga data e paraqitjes së aplikimit të parë.

    7. Është përcaktuar rivendosja e të drejtave nëse aplikuesi ose pronari i markës nuk ka vepruar brenda afatit kohor, të përcaktuar me këtë ligj ose akt nënligjor, në lidhje me përmbushjen e obligimeve në afat ndaj Agjencisë, rezultat i së cilës është humbja e të drejtës së fituar përmes aplikacionit për markë ose markës.

    8. Është ndryshuar afati i ankesës kundër vendimeve të API nga 15 ditë në afatin prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e pranimit të vendimit.

    9. Është përcaktuar gjithashtu mbrojta e të dhënave si detyrim për API.

    10. Dispozitat për mbrojtje civile juridike përcaktojnë hapa më konkret për Subjektet që kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre.

    11. Janë ndryshuar shumat e gjobave tek dispozitat ndëshkuese.

    Ligji për market tregtare hyri në fuqi më 28 korrik 2022.